Për të marrë këtë shërbim konsullor ju duhet të aplikoni në e-albania.al duke zgjedhur shërbimin e kërkuar dhe në vijim konsulli do t'ju udhëzojë mbi procedurën dhe do t'ju japë një datë dhe orë takimi për t'u paraqitur në sektorin konsullor të ambasadës.
Ambasada mund të përpilojë prokura të thjeshta për autorizim përfaqësimi për veprime të thjeshta që nuk synojnë lindjen, ndryshimin ose shuarjen e të drejtave dhe detyrimeve të të përfaqësuarit. Nga ky shërbim që ofrohet nga Ambasada përfitojnë vetëm shtetasit shqiptarë me banim e qëndrim të rregullt në Gjermani.
Për t’u pajisur me prokurë shtetasi duhet të paraqitet detyrimisht në Ambasadë. Me vete duhet të ketë pasaportën e vlefshme shqiptare ose kartën e identitetit, si dhe dokumente të mjaftueshme që tregojnë se ka qëndrim të rregullt në Gjermani. Gjithashtu duhet që të dihen me saktësi edhe të dhënat e personit të autorizuar: përveç emrit, vendlindja, datëlindja, adresa, numri i pasaportës ose kartës së identitetit.
Tarifa për përgatitjen e prokurave në Ambasadë është 20€/faqe. Pagesa për tarifën duhet të bëhet paraprakisht në llogarinë e ambasadës për shërbimet konsullore.
Duhet pasur parasysh që Ambasada nuk mund të lëshojë prokura që kanë të bëjnë me ndryshime pronësie, si p.sh. veprime që kalojnë pronësinë mbi pronat e paluajtshme, dhe prokura që kanë të bëjnë me detyrime nga kontratat. Këto prokura mund të porositen vetëm te noterët e licencuar në Gjermani. Te një noter gjerman mund të shkohet edhe si zgjidhje alternative, nëse ardhja në Ambasadë është e pavolitshme.
Prokurat e lëshuara nga noterë gjermanë kanë nevojë për vërtetim (Beglaubigung) në Gjykatën e Rrethit (Landgericht) dhe pastaj duhen legalizuar në ambasadë në mënyrë që të njihen në Shqipëri (shih: legalizimi i dokumenteve).