Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, realizuan në amfiteatrin “Antonis Tritsis” të Qendrës Kulturore të Bashkisë së Athinës, aktivitetin kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit, poetit, ish-diplomatit, dhe ish të përndjekurit politik, z. Daut Gumeni, titulluar: “Dialog me Daut Gumenin: Liria, Qëndresa, Letërsia dhe Diplomacia”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të trupit diplomatik, personalitete greke nga fusha e akademisë dhe gazetarisë, artistë shqiptarë dhe adhurues të letërsisë dhe figurës poliedrike të z. Gumeni.
Mbrëmja u hap nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e cila veçoi se “Daut Gumeni nuk është vetëm një shkrimtar që rrëfen historinë e jetës. Ai është një ambasador i kujtesës, një dëshmitar i së vërtetës, një intelektual që e ktheu dhimbjen në rrëfim, heshtjen në fjalë, ndërsa fjalën e ktheu në akt shërimi.” Duke na rikujtuar se memoria nuk është luks dhe kujtesa është përgjegjësi, Ambasadorja Hajdaraga theksoi se “liria mbijeton tek njeriu që nuk dorëzohet dhe letërsia kthehet në dëshmi të dinjitetit njerëzor. Përpjekja për të prezantuar veprën e tij për publikun grek dhe për Trupin Diplomatik është një dëshmi e fuqisë së dialogut kulturor dhe e afërsisë mes shoqërive tona.”
Anëtari i AIDSSH z. Altin Hoxha pas fjalës përshëndetëse prezantoi pjesë nga dosja e Daut Gumenit, duke hedhur dritë mbi përndjekjen dhe qëndresën e tij. Znj. Brikena Qama, Kryetare e Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi “LiterArt” vlerësoi kontributin e autorit në letërsinë shqiptare, ndërsa përkthyesi Kosta Jani prezantoi veprën e tij në gjuhën greke.
Në pjesën e dytë të mbrëmjes u shfaq fragment nga dokumentari “Një burrë në udhë”, i realizuar nga regjizori Ylli Pepo, Artist i Merituar, i cili mbajti dhe fjalën e rastit, ndërsa Dr. Stavri Dajo solli një qasje akademike mbi veprën dhe figurën e autorit. Më pas gazetari, poeti dhe shkrimtari Panajot Boli ndau reflektime mbi poezinë e Gumenit. Diskutimi u pasurua me analizën diplomatike të Dr. Dimitris Moschopoulos, ish-Ambasador, Kreu i Zyrës së Ndërlidhjes së Greqisë në Kosovë, si dhe me video-mesazhin e për këtë aktivitet të gazetarit të SKAI TV, Christos Nikolaidis. Z. Skënder Vrioni, anëtar i AIDSSH foli mbi figurën, por dhe kontributin e autorit në këtë institucion.
Momente mallëngjyese përjetoi publiku me interpretimin e disa prej krijimeve të autorit Daut Gumeni, si ai i aktores Algiona Aga me poezinë “Urata e mëmës”, e cila ndau me publikun edhe përjetimet e saj personale nga ajo epokë e errët, në nderim të emrit të gjyshit të saj të pushkatuar, Sazan Hadëri. Gjithashtu poeti Agim Basha interpretoi me emocion dhe me ngjyrimet e dialektit lab poezinë “Autoportret”, ndërsa aktorja Marsela Lena drithëroi të pranishmit me interpretimin e një pjese nga monodrama “I marri fisnik”.
Mbrëmja u kurorëzua me një dialog të hapur mes Daut Gumenit dhe publikut, të moderuar nga gazetari Pano Boli. Aktiviteti u mbyll me surprizën e sjellë nga grupi Lab “Lot Kurbeti”, me një këngë të bukur polifonike, i cili shfaqi para publikut dhe një dimension tjetër artistik të z. Gumeni, atë të isopolifonisë. Në fund të pranishmit u njohën me librat, realizuan fotografi dhe shijuan një banket nën një atmosferë miqësore bashkëbisedimi.
Moderimi i këtij aktiviteti u krye nga përfaqësueset e dy insitucioneve, znj. Joana Zhonga për Ambasadën e RSH-së dhe znj. Elona Baci për AIDSSH.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi shpreh mirënjohjen më të thellë për Bashkinë e Athinës, e cila vuri në dispozicion mjediset e Qendrës Kulturore me bujari dhe mbështeti organizimin e këtij aktiviteti.3
Një falënderim i veçantë u shkon të gjithë folësve, personaliteteve shqiptare dhe greke, që udhëtuan nga vise të ndryshme të Shqipërisë dhe Greqisë për t’i dhënë zë kujtesës dhe veprës së Daut Gumenit, duke mishëruar vlerat tona të përbashkëta për liri, demokraci dhe vëllazëri.
Faleminderit të gjithëve për praninë, për respektin ndaj së shkuarës dhe për besimin tek fuqia e fjalës së lirë.



