Universiteti Panteion i Athinës në bashkëpunim me Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IDIS) organizuan një panel diskutimesh me titull “Reflektime mbi të ardhmen e Evropës Juglindore” me pjesëmarrjen e katër ish-Ministrave të Punëve të Jashtme të rajonit: Z.Ditmir Bushati (Shqipëri), z.Nikos Kotzias (Greqi), znj.Vesna Pusic (Kroaci) dhe z.Nikola Dimitrov (Maqedoni e Veriut), moderuar nga Profesorja Marilena Koppa e Universitetit Panteio. Në kuadër të këtij aktiviteti, Rektorja e Universitetit, znj.Kristina Koulouri drejtoi një përshëndetje të veçantë për panelin dhe të pranishmit.
Ish-ministrat zhvilluan një diskutim të gjallë dhe ndriçues lidhur me tendencat aktuale gjeopolitike në Evropën Juglindore si dhe shprehën nevojën për konsolidimin e projektit evropian në rajonin tonë si e vetmja përgjigje ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe sfidave të kohës.
Të pranishmit në këtë aktivitet, ambasadorë dhe diplomatë të rajonit, profesorë, gazetarë, studjues dhe studentë të shkencave politike, patën mundësinë të bashkëbisedonin me ish-ministrat, gjatë sesionit pyetje-përgjigje, lidhur me aktualitetin dhe të ardhmen e rajonit dhe rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian.