Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të Panairit Ndërkombëtar Global Pack & Foodtech, panairit më të madh në Greqi kushtuar teknologjisë dhe linjave të prodhimit & paketimit për industrinë ushqimore, i cili u zhvillua në datat 11-13 nëntor 2023, nën organizimin e kompanisë Forum S.A.
Në kuadër të këtij aktiviteti Ambasadorja Hajdaraga u takua me një përfaqësi sipërmarrësish të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, kryesuar nga Kryetari, z. Nikolin Jaka dhe bashkëbisedoi lidhur me ecurinë e biznesit në sektorët e tyre dhe mundësitë e zgjerimit të aktiviteteve në tregun grek.
Këtë vit, nëpërmjet përfaqësueses zyrtare për Shqipërinë dhe Kosovën, RUMMINGidea dhe drejtueses së saj, znj. Ilba Tomori Rumi, morën pjesë 75 vizitorë nga Shqipëria dhe Kosova me status të ftuari (hosted buyers), përfaqësues të biznesit prodhues shqiptar, të cilët gjatë 3 ditëve të panairit patën mundësi të njihen me pajisjet dhe teknologjitë më të fundit të industrisë ushqimore.