“20 vjet në skenë”, event kulturor kushtuar karrierës profesionale të aktorit Aleksandër Rrapi, ishte aktiviteti i radhës që realizoi Ambasada në bashkëpunim me Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë – Kosovo in Greece dhe Θέατρο Κνωσός. Në event ishin të pranishëm presonalitete të skenës greke, shkrimtarë, gazetarë dhe përfaqësues të komunitetit.
Duke u ndalur tek figura e Rrapit, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga vlerësoi se, me talentin e tij përfaqëson atë brez aktorësh, të cilët të gjithë së bashku do të shënonin një kthesë në perceptimin e publikut grek për komunitetin shqiptar. Ndërsa për Manusho Manushaqi, regjisorin që ka dhënë një ndihmesë të madhe në mbështetje të aktorëve emigrantë shqiptarë, shfaqja e një seriali me bashkëpunim greko-shiptar, do të përҫonte mjaft dashuri dhe mesazhin se shqiptarët me dëshirën për të qenë punëtorë të mirë e të dobishëm, për vete e për vendin ku vajtën, rrëfyen se jemi i njëjti popull e të njëjtët njerëz, me shpirt e zemër!
Interpretimi brilant i Aleksandrit të poezisë kushtuar pavarësisë së Kosovës, i dha edhe një tjetër dimension aktivitetit.
Aleksandri, veprimtaria e të cilit është ndërtuar mes Greqisë dhe Amerikës, vlerësohet si një nga artistët më të spikatur të kohës për talentin, interpretimin aktorial dhe rolin ndikues të imazhit pozitiv të komunitetit shqiptar në Greqi.