Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me Shoqatën “Vëllazërimi” organizoi në ambientet e saj promovimin e librit me titull “Vëllazërisht”, i autorit Namik Selmani, dedikuar shoqatës së parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi “Vëllazërimi”.
Aktiviteti u përshëndet nga Zëvëndës Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Elvira Isufi, e cila në fjalën e saj vlerësoi kontributin e shoqatës “Vëllazërimi” ndër vite, duke vënë në dukje se kjo shoqatë ka qënë iniciatore për krijimin e shoqatave shqiptare në Greqi, me synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë, promovimin e gjuhës, kulturës dhe trashëgiminë kulturore në diasporë. Znj. Isufi përgëzoi gjithashtu z. Namik Selmani për librin dhe i uroi suksese të mëtejshme.
Aktiviteti vijoi me një bashkëbisedim të vyer mes autorit dhe folësve, ku u shkëmbyen mendime dhe pikëpamje mbi librin.
Në shenjë mirënjohje kryetari i shoqatës “Vëllazërimi” z. Niko Curri i dhuroi autorit te librit z. Namik Selmani një vlerësim për kontributin e tij në diasporë.
Ky aktivitet bëri bashkë ish kryetarë dhe anëtarë të shoqatës “Vëllazërimi”, përfaqësues dhe aktivistë nga “Komuniteti Shqiptar” dhe shoqata shqiptare, si dhe miq të fushës së kulturës.