Shkrimtar, dramaturg, eseist, poet, regjisor, një figurë shumëdimensionale, Stefan Çapaliku ishte pjesë e mbrëmjes kulturore të organizuar nga ambasada, në kuadër të promovimit të letersisë shqiptare në diasporë.
Në një bashkëbisedim sa profesional, aq edhe të këndshëm shkrimtarë, poetë, artistë dashamirës së letërsisë shqiptare dhe kolegë të autorit, ndanë ide për letërsinë e sotme, trajtimin e temave që trajton kjo letërsi, si edhe përceptimet apo përjetimet e shkrimtarëve ndaj epokave apo sistemeve në të cilat ata kanë jetuar.
Duke u ndalur tek vlerësimi i z. Çapaliku, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, vlerësoi se, ai i përket kastës së shkrimatërve që guximshëm dhe me mjeshtëri skalisin karakterin themelor të shpirtit shqiptar. “Vepra e Çapalikut”, theksoi ajo, “është si një thirrje për të evokuar kohët ku ne kemi jetuar. Me stilin e tij letrar, na tregon qasjet jo vetëm të tij, por edhe të shoqërisë shqiptare me realitetin”.
Të pranishmit ndanë mendimin se krijimtaria e Çapalikut ndihmon të kuptohet më mirë koncepti i letërsisë së sotme shqiptare dhe vendin që ajo ka në procesin letrar të globalizmit.