Për rrugëtimin profesional dhe personal të saj, si dhe rolin e medias në ndërveprimin njerëzor e demokratik, Anila Basha një ndër emrat e gazetarisë shqiptare njëkohësisht dhe botuese e revistës Newsbomb.albania, zhvilloi një bashkëbisedim me komunitetin shqiptar në Greqi, në eventin “Pasioni për gazetarinë”. Të pranishmit në event vlerësuan misionin tradicional të gazetarisë, rolin e saj për t’u dhënë zë qytetarëve që ata të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në diskursin publik, duke kontribuar në harmoninë e jetës shoqërore, ku çdo qytetar mund të jetë pjesë aktive e saj.
Duke i bërë një skanim gazetarisë së sotme, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, theksoi se, gjatë gjithë karrierës së saj Anila ka luajtur rol shumë të rëndësishëm për informimin dhe orientimin e saktë të publikut. Profesionalizmin e saj e ka vendosur në shërbim të publikut, informimit të drejtë dhe të ndërtimit profesional gazetaresk, udhëhequr nga parimi se për informim të drejtë duhen servirur të dhëna që mbështeten tek e vërteta, pasi vetëm kështu mund të bëhet informimi objektiv.
Si gazetarja e parë që ka shkruajtur për mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e klasave të para të mësimit plotësues, shoqata “Lushnja” e nderoi Anilën me Certifikatën e Mirënjohjes për kontributin dhe mbështetjen mediatike në sensibilizimin e opinionit publik për ruatjen e vlerave kombëtare në diasporë.