Pas një suksesi të merituar në teatrin Victoria të monodramës “Amber Alert” të dramaturgut Odise Plaku, me rregji të Giotas Kundourakis dhe interpretim të aktores së mirënjohur Georgia Zoi, në ambientet e ambasadës u zhvillua forumi kulturor “Një pasdite me Odise Plakun”, ku artistë, diplomatë, gazetarë dhe artëdashës të veprës, vlerësuan dhe diskutuan krijimtarinë e shkrimtarit Odise Plaku. Monodrama “Amber Alert”, është vepra e parë letrare e një autori shqiptar që përkthehet dhe vihet në skenë nga një trupë greke dhe i kushtohet rrëmbimit të fëmijëve me qëllim shfrytëzimin e tyre, një plagë e mprehtë sociale në mbarë botën.
Duke vlerësuar kastën e monodramës, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, theksoi se, rrëmbimi dhe trafikimi i fëmijëve për motive nga më të ndryshme është një krim që nuk njeh komb, fe, kufij dhe vetëm duke bashkëpunuar të gjithë faktorët dhe aktorët mund ta minimizojnë atë.
Ndërsa për Odise Plakun, një penë që ka lënë gjurmë në letërsinë shqiptare, diplomacia kulturore është ura që lidh popujt, kombet, njerëzit ndaj ngjitja në skenën greke të monodramës “Amber Alert” dhe eventi kulturor i organizuar me këtë rast, është një pasqyrim i këtij qëllimi.