Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e shoqëruar nga Diplomatja për Çështjet e Diasporës, znj. Joneda Dodaj mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga shoqata ‘‘Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi’’ (‘‘Σύνδεσμος Αλβανίδων Γυναικών στην Ελλάδα’’) me titull “Gra që na frymëzojnë, i cili u zhvillua në ambientet e Kolegjit ‘‘New York’’ në Athinë.
Në fjalën e saj Ambasadorja Hajdaraga uroi të pranishmit për 8 marsin dhe theksoi se përfshirja dhe roli shumë i rëndësishëm i gruas, si në jetën shoqërore, politike e kulturore përbëjnë themelin e një shoqërie të shëndetshme duke vënë në dukje nevojën për ndërmarrjen e hapave të ardhshëm në drejtim të barazisë gjinore.
Në këtë event nuk mund të mungonte interpretimi brilant i sopranos së mirënjohur shqiptare znj. Anila Teli Tërshana, shoqëruar nga muzikanti i talentuar shqiptar i skenave greke Dasho Kurti.
Gjatë aktivitetetit u zhvillua gjithashtu dhe edicioni i parë i mirënjohjeve të shoqatës “Aktivistet e hershme të komunitetit shqiptar në Greqi 1990 – 2005”, ku u vlerësuan me mirënjohje me motivacionin “Për kontributin vullnetar në shërbim të komunitetit shqiptar, për prezantimin dhe përcjelljen e vlerave kombëtare, duke shërbyer si frymëzim dhe shembull për brezat e ardhshëm”, aktiviste shqiptare nga qytete të ndryshme të Greqisë.
Photo Credits: Roland Harizi