Arti nuk njeh kufij fizikë, madje flet të gjitha gjuhët. Dhe Festivali i 12-të “FolCalFest-Dialogët Ndërkufitarë”, një bashkëpunim mes Ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Greqi, Qendrës Kërkimore për Këndimin Grek dhe Komunitetit Shqiptar në Greqi, dëshmoi rolin e padiskutueshëm të gurrës së përbashkët popullore në forcimin e marrëdhënieve ndërkomunale mes njerëzve në vendet kufitare dhe jo vetëm.
Grupet polifonike “Lot kurbeti”, “Vëllazërimi” “Malli i mërgimtarit”, “Buron kënga labe” dhe mjeshtri Siri Sadikaj në fyell, së bashku me grupe të tjera popullore greke, me performancën e tyre brilante, i dhuruan publikut shqiptar dhe grek në Amfiteatrin “Mikis Theodorakis”, një performancë të paharrueshme me muzikën dhe veshjet tradicionale e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e tij.
Duke falënderuar jo vetëm artistët e të dy vendeve, por edhe publikun e pranishëm që kishte mbushur plot Amfiteatrin, Ambasadorja Luela Hajdaraga, theksoi se, ky festival është një format komunikimi për dialogun e përbashkët kulturor mes dy vendeve dhe një urë kulturore mes dy popujve.
Të gjithë së bashku mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme!
© Credits to Eda Mollaj dhe Roland Harizi