Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, e shoqëruar nga Oficerja Koordinuese për Diasporën, znj. Joneda Dodaj mori pjesë në aktivitetin festiv me titull “Fjalë zemre, për Atdhe e për Flamur”, organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, në kuadër të festave të nëntorit .
Ky aktivitet, i cili transmetohej dhe nëpërmjet platformës zoom për ata që nuk mund të ishin të pranishëm, bëri bashkë nxënës, prindër dhe mësues të kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi duke ndërthurur edukimin me trashëgiminë tonë!
Të pranishëm në aktivitet ishin Kryetari i LMSH, z. Pjerin Lleshi, Kryetari i Nderit të LMSH, z. Jovan Mëhilli, mësuesit e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe pranë Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, Kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, z. Ermal Sulaj, përfaqësues të shoqatave shqiptare në Greqi dhe miq.
Ambasadorja Hajdaraga, në fjalën e saj, vlerësoi punën dhe përkushtimin e mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe për mësimin e gjuhës amtare brezit të ri, si një mision që kontribuon në ruajtjen e traditave e zakoneve, vlerave kulturore e historike të vendit tonë. Në këtë mision fisnik, vlerësoi ajo, Lidhja e Mësuesve Shqipëtarë në Greqi, ka pasur dhe do të ketë gjithë mbështetjen e Ambasadës, pa harruar edhe mbështetjen e autoriteteve zyrtare e lokale greke, në mbështetje të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë me qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore tek brezat e rinj në Greqi.
Programi vijoi me poezi, këngë dhe valle të intepretuara nga nxënësit e dashur të këtytre kurseve, të përgatitura me shumë dashuri dhe përkujdesje nga mësuesit e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.