Krenari që piktori i mirënjohur shqiptar nga Selaniku, Foti Kllogjeri ishte pjesë e “Art Athina 2023”, evenimenti më i madh vjetor i artit në Greqi, i cili qëndroi hapur disa ditë në Zappeio Megaro. Si përfaqësues i galerisë “Technohoros”, Kllogjeri prezantoi disa nga punimet e tij nga seriali “Variable Space”. Një mori vizitorësh, si nga Greqia ashtu edhe jashtë saj, shfaqën interes dhe vlerësuan performancat vizuale artistike bashkëkohore të Foti Kllogjerit midis 67 stendave të artit nga Greqia, Gjermania, Franca, Hollanda, Qipro, Britania, Zvicra, Uruguai, Polonia, Rumania.
“Art Athina”, është panair i përvitshëm ndërkombëtar i artit bashkëkohor që nga 1993, duke e bërë atë një nga panairet më të vjetra të artit bashkëkohor në Evropë, si dhe duke luajtur një rol vendimtar në krijimin e tregut të artit në Greqi.