Në kuadër të Ditës së Mësuesit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë zhvilloi një aktivitet për nder të mësuesve të kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi.
Me rastin e kësaj dite të shënuar, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga uroi të gjithë mësuesit për 7 marsin dhe shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e tyre të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashigimisë kulturore dhe identitetit kombëtar. “Në këtë mision kaq të rëndësishëm nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm.”, ajo është shprehur. Referuar shpalljes së ‘‘Vitit të Gjuhës Shqipe” Ambasadorja Hajdaraga bëri një prezantim të projekteve dhe aktiviteteve për mësimdhënien e gjuhës shqipe, me përfshirjen aktive të diasporës shqiptare në Greqi.
Aktiviteti u përshëndet nga Zëvëndës Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Malo dhe Drejtoresha e Qendra e Botimeve për Diasporën pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Mimoza Hysa, të cilat shprehën urimet më të sinqerta për këtë festë me rëndësi madhore duke vlerësuar punën që mësuesit e diasporës në Greqi kryejnë në edukimin e brezit të ri dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Greqi.
Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga znj. Joneda Dodaj, Diplomate e ngarkuar me Çështjet e Diasporës, z. Pjerin Lleshi, Kryetar i Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, z. Jovan Mehilli, Kryetar Nderi i LMSHG, z. Iliaz Bobaj, Drejtor i shkollës shqipe ‘‘Naim Frashëri Patra’’, znj. Eriketa Qorlazja, mësuese pranë shtëpisë shqiptare ‘‘Porta’’ dhe koordiantore e LMSHG për Greqinë qëndrore, nga znj. Klarita Selmanaj, mësuese e gjuhës shqipe në Iraklio dhe koordinatore e LMSHG për ishujt e Greqisë, dhe nga znj. Lefteri Metkaj, mësuese e kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Rendi, Kipseli dhe Aspropirgo.
Në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe arsimimin ndër breza, mësuesve iu shperndanë Certifikata Mirënjohje nga Ambasada.