Zv. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Felaj, e cila ndodhet në Athinë në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Asamblesë Rajonale Evropiane (ARE), të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, në datat 06-07 nëntor 2023, zhvilloi një takim bilateral me Zv. Kryetarin e I-rë të Parlamentit Grek, z. Giannis Plakiotakis, nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Athinë.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi ndërtimin e një marrëdhënie më të konsoliduar mes Parlamenteve të Shqipërisë dhe Greqisë, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes reciprok, si ekonomia dhe turizmi. Gjatë takimit, z. Plakiotakis dhe znj. Felaj bënë një vlerësim të veçantë për komunitetin shqiptar në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri, si ura të forta lidhje mes dy vendeve, interesat e të cilëve duhet të mbështeten përmes politikbërjes.