Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Hungari, z. Ilirian Kuka, zhvilloi një takim me Sekretaren e Shtetit për Marrëdhëniet Dypalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, znj. Klára Breuer.
Biseda u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe miqësore, duke konfirmuar nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Hungarisë. Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë politik ndërmjet dy vendeve, si dhe dialogun e vazhdueshëm në të gjitha nivelet.
Ambasadori Kuka shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Në këtë kuadër, ai falënderoi autoritetet hungareze për qëndrimin e tyre konsekuent në favor të avancimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e saj, Sekretarja e Shtetit Breuer theksoi se Shqipëria e meriton avancimin e procesit të integrimit bazuar në performancën dhe arritjet e saj konkrete, duke nënvizuar se progresi duhet të vlerësohet sipas meritave. Ambasadori siguroi se Qeveria Shqiptare mbetet plotësisht e angazhuar për përmbushjen e të gjitha detyrimeve dhe kushteve legjislative e administrative që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në BE.
Gjatë takimit u diskutua edhe mbi rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Të dy palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar aktivitetet e përbashkëta me institucionet përkatëse, përfshirë ministritë e jashtme dhe ato të ekonomisë.
Newsroom
Takim me Sekretaren e Shtetit për Marrëdhëniet Dypalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, znj. Klára Breuer


