Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest organizoi një pritje me rastin e 113-vjetorit të Pavarsisë. Festa u organizua në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Budapest, ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë, paralamentit hungarez dhe institucioneve vendore, Ambasadorë dhe antarë të grupit diplomatik, studentë dhe diaspora shqiptare në Hungari.
Ambasadori z.Ilirian Kuka përshëndeti të ftuarit me një fjalim mirëseardhje duke i falenderuar për pjesmarrjen e gjere dhe interesin e treguar. Teksa solli në vëmendje historinë, traditat dhe kulturën e pasur të vendit tonë, ai u shpreh se udhëtimi i Shqipërisë gjatë viteve ka qenë një udhëtim i qëndrueshmërisë dhe progresit.
“Sot, Shqipëria është bërë lidere në të drejtat e grave në qeveri, falë kabinetit të saj të balancuar gjinor. Në vitin 2021 patëm 12 ministre nga 17, që ishte i pari i këtij lloji në nivel global. Ndërsa festojmë 113 vjet pavarësi, festojmë gjithashtu një kapitull të ri në historinë tonë – ku tradita takon teknologjinë. “Shqipëria është krenare që udhëheq botën duke emëruar Diellën, Ministren e parë të Shtetit, për të na udhëhequr drejt një të ardhmeje transparente, efikase dhe inovative.” Diella është një pasqyrim i ambicies sonë për ta bërë Shqipërinë një qendër të përparimit teknologjik në Ballkan dhe më gjerë.”- u shpreh Ambasadori Kuka gjatë fjalës së tij.
Ai u ndal edhe tek lidhjet e forta mes Shqipërisë dhe Hungarisë duke u shprehur se dy kombet tona ndajnë një miqësi të thellë të ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, bashkëpunimin dhe një vizion të përbashkët për paqen dhe prosperitetin në Evropë. Lidhjet tona kanë rrënjë të thella në shekuj, kur Heroi Kombëtar Hungarez János Hunyadi dhe Heroi Kombëtar Shqiptar Gjergji Kastrioti Skënderbeu formuan një aleancë për të mbrojtur popullin e tyre dhe për t’u bërë mburoja e Evropës kundër perandorive shumë më të mëdha.
Pas pavarësisë, patëm një tjetër moment të rëndësishëm, Mbreti Zog i Shqipërisë u martua me konteshën hungareze, Géraldine Apponyi, duke forcuar lidhjet kulturore dhe aristokratike midis dy kombeve.
Ambasadori Kuka shprehu mirënjohe për faktin se në ditët e sotme, Hungaria ka qenë një nga avokatët më të fortë për integrimin e Shqipërisë në BE, duke përdorur Presidencën e saj të BE-së për të përshpejtuar negociatat dhe për të thelluar lidhjet dypalëshe. Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó ka deklaruar gjithmonë se zgjerimi është jetik për stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e BE-së. Gjatë Presidencës së saj në vitin 2024, Hungaria organizoi dy Konferenca Ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë, duke hapur disa kapituj të rinj. Këtë muaj, BE hapi grupin e fundit të mbetur të negociatave të pranimit me Shqipërinë – Grupi 5: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni. Kjo shënon një moment të rëndësishëm, pasi të gjashtë grupet tematike tani janë të hapura, duke sinjalizuar fazën e avancuar të Shqipërisë në procesin e pranimit me një udhërrëfyes të qartë drejt anëtarësimit deri në vitin 2030. Shqipëria ka qenë e qartë me mesazhin: Ne nuk kemi plan B – BE mund të mos jetë perfekte, por ky është i vetmi komunitet që Shqipëria dëshiron të bashkohet.
Ambasadori theksoi se Shqipëria vlerëson thellësisht angazhimin dhe bashkëpunimin e Hungarisë në fusha që variojnë nga zhvillimi ekonomik deri te shkëmbimet kulturore.
Ai u ndal po ashtu edhe tek Kryeministri Viktor Orbán i cili riafirmoi angazhimin e Hungarisë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së duke theksuar bashkëpunimin dypalësh në bujqësi dhe reformat e administratës publike dhe duke inkurajuar investimet hungareze në Shqipëri. Hungaria investon në sektorë si bujqësia, turizmi dhe administrata publike. Investimet hungareze në Shqipëri kanë arritur në rreth 350 milionë euro dhe turizmi midis dy vendeve po rritet me shpejtësi, me shifra dyshifrore nga viti në vit.
Teksa iu drejtua komunitetit shqiptar në Hungari, Ambasadori Kuka u shpreh krenar për kontributin qe secili prej tyre jep për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat shiptare.
Të pranishëm në pritje ishin edhe pesë kampionë botërorë të mundjes së krahut duke bërë të mundur që në një atmosferë miqësore kushdo të provonte forcën, në një sport që e ka origjinën nga oborri i Skënderbeut në shekullin e 15-të.
Pas programit zyrtar të ftuarit patën mundësinë të shijojnë edhe disa gatime tradicionale shqiptare teksa bisedonin me njëri-tjetrin, bënin fotografi apo ndiqnin pamjet e Shqipërisë turistike të shfaqura në projektor.
Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar u shprehën të lumtur që festime të tilla janë mundesia më e mire për ta për tu bashkuar dhe për të nderuar historinë dhe indentitetin e tyre kombëtar.








