Gjatë qëndrimit në Budapest, ku ndodhet për një vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit Hungarez, Sh. T. Z. Tamás Sulyok, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare i Hungarisë, z. László Kövér.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin ndërparlamentar midis dy vendeve në nivel kryetarësh, komisioneve parlamentare, si edhe grupeve parlamentare të miqësisë.
Një bashkëpunim i tillë, – theksoi Presidenti Begaj, është shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, ndërsa vlerësoi rolin e eurodeputetëve hungarezë në Parlamentin Evropian përgjatë gjithë procesit të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Dialogu politik mes Shqipërisë dhe Hungarisë do të vijojë jo vetëm si aleatë në NATO, por edhe si si aleatë të ardhshëm në BE, – u theksua gjatë bisedës së Presidentit Begaj me Kryeparlamentarin hungarez László Kövér.
Pjesë e këtij angazhimi është edhe Konferenca e radhës e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Evropës Juglindore, e cila do të mbahet në nëntor të këtij viti në Asamblenë Kombëtare të Hungarisë, ku merr pjesë edhe Shqipëria.