Ambasadori i RSh-së në Hungari, z. Ilirian Kuka ka zhvilluar një takim me Rektorin , Prof. Dr. László BORHY dhe Zëvendës Rektorin Prof. Dr. Imre HAMAR, e Universitetit ELTE (Universiteti Eötvös Loránd). Pjesë e takimi ishte edhe Drejtuesi i Departamenti Ndërkombëtar të këtij universiteti.
I themeluar në vitin 1635, ELTE është universiteti më i vjetër dhe me i madh në Hungari, me 40,000 studentë. Si universiteti kryesor kërkimor në Hungari ELTE konsiderohet edhe institucioni më popullor i arsimit të lartë për aplikantët e huaj çdo vit.
Në fokus të diskutimeve ishte rifillimi i një bashkëpunimi më të fortë me universitetet shqiptare si në aspektin akademik dhe po ashtu në kërkimin shkencor. Rëndësi e veçantë gjatë takimit iu kushtua mundësisë për rihapjen e Katedrës së Gjuhës Shqipe në këtë universitet e cila në sajë të një marrëveshje me Ministrinë tonë të Arsimit ka qenë aktive por tashmë është mbyllur. Rektori u shpreh i hapur për të bërë përpjekje për rinovimin e kësaj marrëveshje dhe rihapjen e Katedrës së Albanologjisë në Hungari.
Rektori, Prof. Dr. László Borhy theksoi se është e rëndësishme rihapja e katedrës dhe vijimi i misionit të saj në thellimin e marrëdhënieve akademike, kulturore, ekonomike, turistike, diplomatike midis shqiptarëve dhe hungarezëve. Ndërsa Ambasadori Kuka u shpreh se qëllimi i Ambasadës është për një bashkëpunim më efikas në të ardhmen me ELTE duke mundësuar në këtë mënyrë përhapjen e historisë së lashtë të popullit shqiptar, mësimin e gjuhës shqipe që është një gjuhë e lashtë indoevropiane, hulumtimin e traditave dhe zakoneve të popullit shqiptar, dhe krijimin e urave të komunikimi bazuar mbi pikëtakimet e përbashkëta me popullin hungarez dhe popujt e tjerë evropianë.