Kreu i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Indonezi, z. Nikson Ballço, zhvilloi një takim dypalësh me përfaqësues të Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës së Indonezisë, me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e diplomacisë parlamentare si një instrument kyç për fuqizimin e dialogut politik dhe plotësimin e bashkëpunimit në nivel ekzekutiv. Të dyja palët nënvizuan rolin e angazhimit ndërparlamentar në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Diskutimet përfshinë gjithashtu organizimin e vizitave reciproke të delegacioneve parlamentare, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira legjislative, si dhe mundësinë e krijimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Indonezi si një mekanizëm i qëndrueshëm bashkëpunimi.
Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët të të dyja palëve për të intensifikuar më tej bashkëpunimin ndërparlamentar dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme dialogu, mirëkuptimi të ndërsjellë dhe miqësie ndërmjet dy vendeve.


