Momente nga ceremonia festive e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e RSh- së në Janinë me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 80 vjetorit të Çlirimit të saj.
Në ceremoni ishin të pranishëm një numër i lartë pjesëmarrësish nga autoritetet e Prefekturës së Epirit, Bashkisë së Janinës, Kryetarët e Bashkive të Gjirokastrës dhe Dropullit, përfaqësues të lartë të Policisë së Epirit, të biznesit, arsimit, komuniteteve fetare si dhe përfaqësues nga fushat e turizmit, artit sportit, gazetarisë, miq e dashamirës nga dy vendet.
Në fjalën e saj, Konsullja e Përgjithshme e RSH-së në Janinë, Dr. Irida Laçi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë si në planin bilateral, ashtu dhe në atë rajonal dhe shumëpalësh, çka ka berë që marrëdhëniet mes dy vendeve tona të ngrihen në nivelin e partneritetit strategjik.
Në veçanti znj. Laçi u ndal në bashkëpunimin e shumëanshëm në kuadër të diplomacisë së qyteteve, e cila integrimin mes popujve tanë e ka bërë konkret e të prekshëm, pasi konkretisht shqiptarët shenojnë numrin më të lartë të turistëve në rajonin e Epirit, një numër prej mbi 390 studentësh nga Shqipëria studiojnë në Universitetin e Janinës, ku ka një bashkëpunim akademik të vijueshëm mes universiteteve të të dyja rajoneve, shkëmbimet tregëtare janë në rritje, ka një bashkëpunim shumë konkret në fushën e artit e të sportit, por dhe një turizëm mjekësor në rritje.
Sa më sipër është tregues i qartë se diplomacia e qyteteve konsiderohet si para-diplomaci, pasi nga qytete të vogla si Janina, vijnë shembuj pozitive të integrimit dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë ceremonisë u shpërndanë medalje për disa mjekë shqiptarë dhe grekë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në kuadër të “diplomacisë mjekësore”.
Ceremonia vijoi me një darkë në shoqërinë e tingujve të këngëve dhe valleve tona, nga fëmijë të veshur me kostume tradicionale shqiptare.