Konsullja e Përgjithshme e RSH-së në Janinë zhvilloi një takim me z. Niko Kantzas, menaxherin e kompleksit historik dhe turistik “Litharitsia” në Janinë, një nga pikat më të njohura dhe më të frekuentuara të qytetit.
Gjatë bisedës, u theksua rritja e ndjeshme e numrit të turistëve nga Shqipëria që vizitojnë rajonin e Epirit, si dhe mundësitë për bashkëpunim në zhvillimin e paketave të përbashkëta turistike, me synimin për të promovuar një model të turizmit të qëndrueshëm, të bazuar në traditat e përbashkëta, gastronominë, arkitekturën, kulturën dhe historinë që lidhin natyrshëm dy vendet tona.
Kompleksi Litharitsia mbart një vlerë të veçantë historike edhe për ne. I ndërtuar mbi një kodër shkëmbore në zemër të Janinës, bastioni u ngrit nga Ali Pasha rreth vitit 1800, mbi rrënojat e një kështjelle më të hershme normane. Në vijim, u ndërtuan aty edhe pallate për familjen e tij, të cilat u shkatërruan në vitin 1820, kur ushtria osmane rrethoi qytetin në përgjigje të rebelimit të Ali Pashës kundër Sulltanit.
Në vitet 1970, struktura u restaurua nga Shoqata e Studimeve të Epirit dhe sot funksionon si hapësirë multifunksionale me restorant, bar panoramik, qendër konferencash dhe ambiente akomoduese – një shembull i shkëlqyer i ndërthurjes së trashëgimisë kulturore me turizmin modern.
Z. Kantzas shprehu dëshirën për të zgjeruar bashkëpunimin me agjenci turistike shqiptare dhe greke, me qëllim që vizitorët jo vetëm të shijojnë mikpritjen dhe kulinarinë vendore, por edhe të përjetojnë historinë, traditat dhe mënyrën autentike të jetesës së zonës.
Modeli i zhvilluar në Litharitsia është një ilustrim i qartë i një strategjie të turizmit të kujdesshëm dhe me ndikim të ulët, që ruan me kujdes karakteristikat arkitektonike, kulturore, historike dhe mjedisore të zonës.
Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Janinë vlerëson këto nisma dhe mbështet përpjekjet për ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të turizmit nga të dyja anët e kufirit, duke krijuar një klimë të re të afërsisë, njohjes dhe zhvillimit të përbashkët.
Newsroom
Një takim interesant e Konsulles ë Përgjithshme znj. Irida Laçi me z. Niko Kantzas, menaxherin e kompleksit historik dhe turistik “Litharitsia” në Janinë