
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll organizoi një darkë tradicionale iftari në ambientet e Çırağan Palace, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ky aktivitet mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik dhe konsullor të akredituar në Stamboll, duke përfshirë përfaqësues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Egjipti, Bosnja dhe Hercegovina, Azerbajxhani, Algjeria, Iraku, Kazakistani, Libani, Malajzia, Maroku, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia dhe Mali i Zi.
Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve vendore, ndër të cilët edhe Mehmet Sülün nga Valia e Stambollit.
Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar vlerat e solidaritetit, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë që përçon muaji i Ramazanit. Ky iftar shërbeu gjithashtu si një mundësi për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet përfaqësive diplomatike në Stamboll.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll shpreh mirënjohjen e saj për të gjithë të ftuarit që nderuan këtë aktivitet me praninë e tyre dhe kontribuan në suksesin e tij.


