

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll, në bashkëpunim me Konsullatën e Republikës së Kosovës, organizoi një darkë iftari me studentët shqiptarë që studiojnë në Stamboll, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë të angazhuar në organizata studentore, përfshirë Unionin Studentor Shqiptar dhe Arnavut Gençlik Birliği, duke krijuar një hapësirë të ngrohtë dhe bashkuese për të rinjtë shqiptarë larg atdheut.
Gjatë mbrëmjes u theksua rëndësia e ruajtjes së lidhjeve mes studentëve shqiptarë, promovimi i bashkëpunimit ndërmjet tyre si dhe roli i tyre si ura lidhëse mes vendeve tona dhe Turqisë. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar vlerat e solidaritetit dhe bashkimit që përçon muaji i Ramazanit.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Stamboll dhe Konsullata e Republikës së Kosovës shprehin mirënjohjen e tyre për pjesëmarrjen aktive të studentëve dhe për kontributin e tyre në forcimin e komunitetit shqiptar në Stamboll.


