Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Japoni shpreh pikëllimin e saj të thellë për tërmetin tragjik që goditi Prefekturën Kumamoto më 28 korrik.
Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të viktimave, solidaritet për të gjithë ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi shkatërrimtare.
Ambasada shpreh mirënjohje dhe respekt të thellë për të gjithë ata që janë të angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të ndihmës. Guximi, profesionalizmi dhe përgatitja e jashtëzakonshme e Japonisë në menaxhimin e fatkeqësive natyrore, së bashku me ekspertizën e saj inxhinierike dhe qëndrueshmërinë e popullit japonez, kanë ndihmuar në zbutjen e pasojave të kësaj katastrofe natyrore.
Ambasada u bën thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Japoni të tregojnë vigjilencë, të ndjekin me kujdes udhëzimet dhe njoftimet e autoriteteve japoneze dhe, në rast nevoje për asistencë konsullore, të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Japoni.
Në këtë moment të vështirë, Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë me Japoninë.



