Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Japoni, z. Ermal Muça, mori pjesë në mbrëmjen e organizuar me rastin e 55-vjetorit të themelimit të APA Group, një prej sipërmarrjeve më të suksesshme japoneze, e njohur veçanërisht për rrjetin e saj të hoteleve në Japoni dhe jashtë saj.
Në aktivitetin ku ishin të pranishëm përfaqësues të kabinetit qeveritar, të sektorit të hotelerisë dhe turizmit, si dhe personalitete të shquara të jetës publike dhe ekonomike, Ambasadori Muça pati mundësinë t’u drejtohej të ftuarve me një fjalë përshëndetëse.
Pasi përgëzoi drejtuesit e grupit për sukseset e arritura gjatë më shumë se pesë dekadave të veprimtarisë së tyre, Ambasadori vuri në dukje potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Shqipërisë dhe ftoi të pranishmit, veçanërisht drejtuesit e APA Group, të vizitojnë vendin tonë, ta njohin më nga afër dhe të shqyrtojnë mundësitë për zgjerimin e aktiviteteve të tyre në Shqipëri.



