Gjatë javës 19-23 maj, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Japoni, të paraprirë nga ajo në Republikën e Koresë.
Në Tokio, ai u prit me nderime të larta shtetërore nga Kryeministrja e Japonisë, znj. Sanae Takaichi.
Samiti dypalësh ndërmjet Kryeministrave Rama dhe Takaichi, një ngjarje domethënëse me rëndësi kyçe që reflekton nivelin e shkëlqyer aktual të marrëdhënieve dypalëshe, konfirmoi vullnetin e përbashkët dhe vendosmërinë e ndërsjellë për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë, përfshirë në sektorë me rëndësi strategjike si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.
Diplomacia parlamentare përbën një shtyllë të rëndësishme që ndikon në mënyrë të ndjeshme dhe pozitive zhvillimin e gjithanshëm të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë. Në këtë kontekst Kryeministri Rama zhvilloi një takim të frytshëm me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve z. Eisuke Mori në rezidencën e tij zyrtare.
Kryeministri Rama u prit me ovacione në Parlamentin e Japonisë nga anëtarët e Ligës Parlamentare të Miqësisë Japoni-Shqipëri. Gjatë takimit, Kryeministri i akordoi z. Minoru Kiuchi, Ministër i Strategjisë së Rritjes së Japonisë dhe Kryetar i Ligës Parlamentare të Miqësisë Shqipëri-Japoni, Medaljen e Argjendtë (Ylli i Madh) të Mirënjohjes Publike me motivacionin: “Për dinamizmin, përvojen dhe angazhimin mbresëlënës ndërqeveritar dhe parlamentar me të cilët udhëheq, prej shumë vitesh, thellimin e bashkëpunimit shumëplanësh mes Japonisë dhe Shqipërisë, duke merituar plotësisht mirënjohjen publike të Qeverisë dhe të shoqërisë shqiptare”.



