Me ftesë nga Universiteti Osaka, për promovimin e lidhjeve Shqipëri-Japoni në fushën e studimeve pasuniversitare dhe kërkimit shkencor Ambasadori Dida zhvilloi takime me Presidentin Prof.Toshio HIRANO dhe zv/Presidentin Prof. Shigeyuki EBISU ku u bisedua për bashkëpunimin ndëruniversitar ndërmjet dy vendeve përmes shkëmbimeve të studentëve dhe kërkuesve shkencorë për studime pasuniversitare. Universiteti Osaka është ndër gjashtë universitetet më të vjetra të Japonisë dhe i shtati universitet kombëtar. Me këtë rast, Ambasdadori mori pjesë në ceremoninë e diplomimit me gradën “Doktor i Shkencave” (PhD – Philosophy Doctor) për studenten shqiptare zj. Edlira Zere që kreu studimet pas universitare për orthodonsi pranë këtij universiteti. Nga ky universitet janë graduuar me titullin ‘Doktor i Shkencave’ disa kërkues shqiptarë ndër të cilët një pjesë e tyre janë aktivë dhe në role drejtuese në kërkimin shkencor pranë universiteteve tona. Gjatë qëndrimit në Osaka, ambasadori Dida u takua edhe me Dekanin e Fakultetit të Stomatologjisë Prof. Satoshi Wakisaka dhe Prof. Takashi Jamashiro drejtues i departamentit të Orthodonsise që u shprehën shumë të kënaqur nga cilësia e studentëve shqiptarë dhe parashtruan ide për bashkëpunimin e mëtejshëm me fakultetet respektive përmes kërkuesve që graduohen në Japoni nga programi MONBUSHO ose programe të tjera dhe që shërbejnë si ura lidhje për zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe në veçanti për zhvillimin e orthodonsisë së stomatologjisë në Shqipëri. Dekani Prof. Wakisaka dhe Prof. Jamashiro u shprehën të gatshëm për të vizituar Shqipërinë në funksion të zhvillimit të kërkesave dy palëshe që do të dalin nga bashkëpunimi shkencor në nivel fakulteti dhe universiteti.