Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të shoqërisë civile,
Të dashur miq dhe të nderuar Ambasadorë
Mirëmbrëma të gjithëve!
Është një nder i veçantë të jem sonte me ju në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në kuadër të Ditës së Evropës. I përgëzoj organizatorët për këtë nismë të bukur dhe i falënderoj për ftesën. Kjo ditë na kujton jo vetëm bashkimin historik të një kontinenti, por sidomos vlerat themelore që na bashkojnë: paqen, demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe respektin për identitetin e çdo populli.
Këtë vit, Shqipëria dhe hapësira shqiptare përkujtojnë me nderim të veçantë 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadare, një prej mendjeve më të ndritura shqiptare dhe evropiane. Dhe është pikërisht ai, në librin “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, që ka shprehur me forcë dhe qartësi të rrallë atë që ne e ndiejmë thellë në shpirt:
Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit evropian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit. Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar.
Ky pohim i Kadare-s është një thirrje dinjitoze dhe një përgjigje e qartë për çdo dyshim ose mohim historik. Identiteti ynë evropian nuk është një aspiratë e re, as një projekt politik i momentit. Ai është i lashtë, autentik dhe i pamohueshëm.
Në veprën e tij, ai vijon duke shtjelluar argumentet mbështetëse mbi Identiteti Evropian të Shqiptarëve, dhe shkruan:
Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Europës dhe fill pas saj nis Turqia ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë, vëren se gjer në atë kufi shtrihen, së paku, tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia europiane”.
Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit europian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare europiane. Së paku, tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën. Lidhjet ekonomike e ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detare janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike greko-iliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden, gjithashtu, kudo. Historia e mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflajt, jepet në një tablo të plotë me principatat, kryqëzat, aleancat, krushqitë e, natyrisht, grindjet e pashëmbullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer në ditët tona. Ngjashmëria me mozaikun europian të kohës është gjetur prej studiuesve, si Ernest Koliqi e të tjerë, si një nga arsyet përse Dante Aligjeri ishte aq popullor në Shqipëri.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë, së pari, një mit europian (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Europa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX.
Kodi zakonor shqiptar, kanuni, bashkë me poezinë epike gojore, e sidomos Eposin e Kreshnikëve, bën pjesë natyrshëm në arealin epik europian, midis “Digenis Akritas”, “Nibelungen”, “Kënga e Rolandit”, “Këngëtimi i Sinit” e sagat nordike. Te Saxo Grammaticus, viti 1200, një ndër themeluesit e europianizmit kulturor, pjesë të tëra, e sidomos dyzet faqet ku shtjellohet historia e gjakmarrjes së princit Hamlet (Amlethus), të kujtojnë nyjat e këtij kodi.
Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve europiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. Emra të mëdhenj të saj, si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Gjon Gazulli, Pjetër Bogdani, i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore europiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluar.Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dha një kumt të qartë të europianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.
Me këtë mall tragjik për Europën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, viti i lirisë së saj. Më 28 Nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Europës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie, ua njohu atë shenjë shqiptarëve. Por gjestet e Europës do të ishin, më pas, tepër të kursyera për ta.
Kadare i përmbledh bukur këto realitet duke theksuar se:
Identiteti është si ndjeshmëria e një populli. Ai nuk mund të fshihet, as të ndryshohet sipas interesave politike të çastit. Shqiptarët e kanë identitetin e tyre evropian që nga lashtësia, të rrënjosur thellë në gjuhë, në tradita, në mendësi dhe në gjeografi. Ky identitet nuk është diçka e huajtur apo e importuar, por një pjesë organike e historisë evropiane.
Të dashur miq,
Këto fjalë na japin krenari dhe forcë. Ato na kujtojnë se ne nuk po trokasim sot në derën e Evropës si të huaj, por po kërkojmë të kthehemi plotësisht në shtëpinë tonë të natyrshme. Evropa nuk është vetëm një union ekonomik apo një objektiv politik momental – ajo është para së gjithash një hapësirë vlerash, ku kultura, gjuha dhe identiteti i popujve si i yni kanë vendin e tyre që nga lashtësia.
Për ne shqiptarët, identiteti evropian nuk është vetëm trashëgimi historike, por edhe një detyrim moral për të ardhmen: të ndërtojmë një shoqëri të sundimit të ligjit, demokracisë së vërtetë, tolerancës dhe respektit për të drejtat e njeriut.
Në këtë mbrëmje le të ripohojmë me bindje se rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është rruga e kthimit në atë që kemi qenë gjithmonë – një popull evropian me rrënjë të thella, me vlera të forta dhe me besim të palëkundur në një të ardhme të përbashkët.
Rroftë miqësia shqiptaro-evropiane!
Rroftë Evropa e bashkuar!



