I nderuar Ambasador, z. Petrit Malaj,
Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë,
Në emër të Orkestrës “Amadeus” dhe gjithë stafit tonë, ju shprehim mirënjohjen më të thellë dhe falënderimet tona më të sinqerta për përkrahjen tuaj të vazhdueshme dhe tejet të çmuar në realizimin e koncertit të orkestrës sonë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, për nder të 18 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku orkestra solli në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor koncertin madhështor “Brezi i Lirisë”, duke dëshmuar fuqinë e artit si zëri më i bukur i identitetit dhe përparimit të një kombi.
Mbështetja juaj konkrete, duke marrë përsipër organizimin e udhëtimit dhe transportit të orkestrës për në Tiranë dhe kthimin e saj, ishte vendimtare për realizimin me sukses të këtij koncerti të rëndësishëm artistik dhe kombëtar. Kjo përkrahje përfaqëson jo vetëm ndihmë institucionale, por edhe një dëshmi të përkushtimit tuaj të vazhdueshëm ndaj zhvillimit të kulturës dhe artit.
Ne ju jemi veçanërisht mirënjohës për faktin se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka qenë pranë nesh që nga themelimi i Orkestrës Amadeus, duke mbështetur vazhdimisht rrugëtimin dhe zhvillimin e saj artistik. Përkrahja juaj ka qenë një shtysë e fuqishme në përparimin e orkestrës dhe në përfaqësimin dinjitoz të vlerave tona kulturore.
Ju falënderojmë edhe njëherë për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë,
Hana Petrovci
Drejtore
& ekipi i “Amadeus”



