Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, uroi sot Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa mori pjesë në ceremoninë festive në Prishtinë.
Gjatë fjalimit para deputetëve të rinj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, Kreu i Shtetit nderoi figurat historike të Kosovës: Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin, Adem Jasharin, luftëtarët e UÇK-së që sot përballen me padrejtësi në Hagë, si dhe shprehu mirënjohje ndaj aleatëve ndërkombëtarë SHBA-BE dhe bëri thirrje për forcim të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë për rrugëtimin e përbashkët në strukturat Euroatlantike.
“Sot, Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu, kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej, sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon”, – deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar së sot Kosova është një shtet real, me potencial të jashtëzakonshëm, më e fortë se dje dhe më e përgatitur për sfidat e së nesërmes.
“Megjithëse është shtet i ri në vite, ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes dhe ka rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj luftëtarëve të UÇK-së, që sot ndodhen në Hagë në betejën e vështirë dhe vendimtare. “Shqipëria, – theksoi Presidenti Begaj, ka qëndruar pranë Kosovës, qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën”.
Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata, që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, lirinë për familjet e tyre, tokën e tyre, gjuhën e tyre, të drejtat e tyre, janë siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë kudo, kurdo e në çdo kohë: simbole të lirisë. Ata janë memorie shtetërore e kombëtare. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, lira meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje.”
Krahas përpjekjeve të shqiptarëve për Pavarësinë e Kosovës, Presidenti Begaj theksoi rolin e pazëvendësueshëm të aleatëve, duke theksuar faktin se Kosova sot është një nga shtetet me besnike ndaj vlerave perëndimore:
“Mirënjohja jonë e përjetshme shkon për familjen e kombeve perëndimore që u bënë jo vetëm aleatë, por edhe ndërgjegje morale. Mirënjohja jonë e përjetshme shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe miqtë ndërkombëtarë, që ndalën gjenocidin ndaj popullit të Kosovës. Sot, Kosova nuk është vetëm produkt i kësaj ndihme, por një nga mbrojtëset më të qëndrueshme të këtyre vlerave”.
Kreu i Shtetit shprehu përgëzime ndaj liderëve aktuale për kapërcimin e ngërçit politik me krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e datës 28 dhjetor, duke theksuar se tashmë duhet një qeverisje e përgjegjshme, vendimmarrje të guximshme dhe përballim me guxim e mençuri të sfidave të dialogut dhe të integrimit evropian.
Gjatë kësaj fjale, një rëndësi të veçantë Presidenti i Republikës i kushtoi forcimit të marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një marrëdhënie organike, vëllazërore dhe të shenjtë. “Ne jemi një komb që rreh në dy shtete. Shqipëria është shtëpia juaj, ashtu si Kosova është shpirti ynë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke e theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi si detyrim ndaj brezave.
Nga parlamenti i Kosovës, Presidenti Begaj përforcoi thirrjen ndaj komunitetin evropian për vlerësimin e meritave të shqiptarëve që synojnë të jenë pjesë e Evropës së Bashkuar, duke garantuar njëherazi përpjekjen e vazhdueshme të Shqipërisë në mbështetje të këtij rrugëtimi:
“Ky 18-vjetor na rikujton se, ashtu siç ishim bashkë në ditët e vështira të mbijetesës, do të jemi bashkë edhe në tryezat e Brukselit, për të dëshmuar se shpirti i shqiptarit ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e përjetësisht Euroatlantik. Shqiptarët në rajon, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi kanë qenë dhe mbeten një faktor i rëndësishëm emancipues, integrues dhe evropianizues, si dhe kontribuues për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe begatinë në rajonin tonë, por edhe më gjerë.”
“Nuk mund të ketë Evropë të plotë pa një Kosovë të barabartë mes të barabartëve. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare, derisa flamuri i saj të valëvitet në Organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe në NATO. Republika e Kosovës e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe heqjen e çdo mase kufizuese. Një Kosovë e integruar dhe një faktor shqiptar i fuqizuar janë garanci për stabilitet, demokraci dhe fqinjësi të mire”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës në këtë 18-vjetor të Pavarësisë së Kosovës mori pjesë në ceremoninë e parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës që u zhvillua në Prishtinë, ndërsa zhvilloi takime të veçanta me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeparlamentaren Albulena Haxhiu dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Në fokus të bisedave ishte forcimi i partneritetit strategjik Shqipëri-Kosovë, i bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe koordinimi i ngushtë me partnerët strategjikë, e vlerësuar nga Presidenti Begaj si rruga më e sigurt për forcimin e rolit dhe konsolidimin e pozitës së Kosovës në familjen Euroatlantike.



