E dashur Donika, është vërtet një kënaqësi që ndodhem sot në Prishtinë për vizitën time të parë dypalëshe. Dua të falënderoj shumë kolegen, motrën time, Ministren për Punët e Jashtme dhe të Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz për mikpritjen, por edhe për diskutimet e hapura që patëm.
Jam i lumtur që kjo vizitë vjen në një moment kaq të rëndësishëm e pozitiv për Kosovën e cila ka marrë tashmë, më në fund, liberalizimin e vizave, duke zgjeruar mundësitë dhe të drejtat e qytetarëve te saj. Ky është një vendim pozitiv jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Evropian, një nxitje më tej në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt BE-së.
Kjo vizitë është në fakt pjesë e një turi në disa vende të rajonit. Pas Kosovës unë do të vizitoj edhe Maqedoninë e Veriut e më tej Malin e Zi. Është një tur që ka për qëllim ndarjen e ideve e mendimeve mbi punën që duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të mirën e rajonit e për të mirën e qytetarëve tanë, për të avancuar bashkëpunimin dhe projektet e shumta mes nesh, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në hapësirën euroatlantike.
Rajoni është duke kaluar sot një moment delikat. Jemi të gjithë dëshmitarë të faktit që pavarësisht progresit që është bërë, siguria dhe stabiliteti janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit.
Ne kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar e të armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm është një akt kriminal dhe i rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, me pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, me pasoja ndoshta të pakthyeshme.
Prandaj, tani më shumë se kurrë, është e nevojshme që të gjithë ato vende dhe ato forca që besojnë tek paqja e stabiliteti, tek bashkëpunimi e integrimi euroatlantik, të punojnë së bashku për të ardhmen e rajonit tonë dhe të mirën e qytetarëve tanë.
Shqiptarët duhet të luajnë një rol të dorës së parë në këtë përpjekje për të ardhmen tonë të përbashkët. E padyshim, Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në zemër të kësaj përpjekjeje, si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër, e mbështesin perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Me ministren Gërvalla, me miken time të shtrenjtë Donikën, patëm mundësinë të diskutojmë konkretisht e në mënyrë shumë konstruktive për këto ide dhe për mënyrën sesi duhet ta çojmë përpara agjendën tonë të përbashkët, duke filluar me bashkërendimin e punës së dy Ministrive tona për:
- Përditësimin e strategjisë për rivitalizimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës;
- Anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe integrimin e saj në NATO ku Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike, përgjatë vitit 2024.
Për sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, kjo është një nga pikat kryesore që Shqipëria ngre në çdo takim e ndërveprim me partnerët tanë evropianë, që integrimi i plotë i rajonit në BE është një domosdoshmëri dhe mënyra e vetme për të garantuar njëherë e mirë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor e rrjedhimisht të vetë Evropës.
Natyrisht, ashtu siç bëjmë prej vitesh, jemi të gatshëm të ndihmojmë e mbështesim Kosovën në procesin e integrimit, duke ndarë eksperiencën tonë dhe ekspertizën që kemi akumuluar ndër dekada në këtë drejtim.
Në këtë kuadër, unë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta përgëzuar publikisht lidershipin e Kosovës për takimin e Brukselit, më 26 tetor 2023, ku me shumë maturi e konstruktivitet u pranuan propozimet e BE-së.
Ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara, që e vë Kosovën në një pozitë shumë më të volitshme. Çdo gjë, që është pranuar dhe rënë dakord, duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë perëndimorë, që në këtë moment të shtyjnë përpara, drejt përparimit përfundimtar.
Me Donikën diskutuam po ashtu, për zbatimin e detyrimeve që lindin nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, por edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.
U dakordësuam për rëndësinë e shtimit të përfaqësimit të përbashkët diplomatik, por edhe për koordinimin në kuadër të diplomacisë ekonomike, e cila mbetet një nevojë parësore për të dyja vendet tona. Ramë dakord po ashtu, të nxisim dhe intensifikojmë më tej punën për mërgatën shqiptare kudo në botë.
Lidhur me çështjet ekonomike, vlerësova hapat e ndërmarra në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar në funksion të nxitjes së shkëmbimeve tregtare, por edhe heqjen e kontrolleve kufitare gjatë fundjavave në kufirin Shqipëri-Kosovë, çka ka sjellë një rritje të qarkullimit të mjeteve dhe udhëtarëve.
Studimit i fizibilitetetit të ndërtimit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, i hap rrugën edhe projektit tjetër, atij të terminalit hekurudhor të mallrave në Prishtinë, i quajtur Porti i Thatë, i cili do ta shndërrojë kryeqytetin e Kosovës në një nivel tjetër, për transportin e mallrave ne rajon.
Në funksion të këtyre ideve dhe në funksion të mbarëvajtjes së punës, si pjesë e ristrukturimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ne do të kemi së shpejti një drejtori të posaçme, dedikuar koordinimit të punës me faktorin shqiptar në rajon.
Unë dua ta falënderoj sërish ministren Gërvalla Schwarz, Donikën, për mikpritjen dhe t’ i shpreh edhe njëherë gatishmërinë time personale, por edhe të kolegëve të mi, për të avancuar, pa humbur kohë, në të gjitha këto nisma dhe projekte, të cilat do të thellojnë integrimin mes nesh, por nga të cilat, do të përfitojë edhe rajoni mbarë.