Sot, më datë 05 qershor 2018, me kërkesën e tij, Ambasadori Saimir Bala u prit në një takim nga Asistent Ministri për Çështjet e Evropës të MPJ-së kuvajtiane Amb.Walid Alkhobaizi. Qëllimi i takimit kishte të bënte me shkëmbime mendimesh rreth marrëdhënieve dypalëshe.
Ambasadori Bala, ndër të tjera, foli për gatishmërinë e palës sonë për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Akademive Diplomatike të dy vendeve tona.
Asistent Ministri Alkhobaizi, ndër të tjera, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyera. Përsa i përket Komisonit të Përbashkët Ndërqeveritar z. Alkhobaizi vijoi se mbajtja e komisonit si një aktivitet shumë i rëndësishëm është shtyrë nga pala jonë për arsye objektive. Megjithatë, nënvizoi ai, për t’i paraprirë mbajtjes së komisionit ne sugjerojmë që të zhvillojmë konsultimet diplomatike ndërmjet MPJ-ve tona në Tiranë. Sa i përket vizitës zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir Meta, në Kuvajt, tha ai, është shtyrë për arsye objektive të axhendës së Emirit Sheikh Sabah Al-Ahmad AlJaber Al-Sabah.
Në ditët në vijim, pala jonë do të bëjë me dije propozime datash konkrete për realizimin e kësaj vizite, e cila besoj se do të jetë pas pushimeve verore. Do të ishte efektive, nënvizoi z. Alkhobaizi, që konsultimet diplomatike të mbaheshin përpara vizitës në Kuvajt të Presidentit Meta. Në fund, ai foli edhe për mundësitë dhe potencialet turistike që ofron Shqipëria. Në këtë kuadër, ai nënvizoi se kuvajtianët dëshirojnë që të kalojnë pushimet në Shqipëri, si dhe sugjeroi që krahas punës shumë të mirë që bën ambasada shqiptare këtu për promovimin e vlerave turistike, në të ardhmen të shihet mundësia që nga institucioni shtetëror shqiptar që merret me turizmin të ftohet për një vizitë në Shqipëri një grup operatorësh turistik kuvajtianë.
Newsroom
Takim me Asistent Ministrin për Çështjet e Evropës të MPJ-së kuvajtiane Amb. Walid Alkhobaizi