30 mars 2016 – Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj dhe Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab, z. Hamad Al-Omar nënshkruan sot Marrëveshjen e Huasë për Projektin e “Rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës”.
Sikurse theksoi Ministri Ahmetaj, ky është një projekt i rëndësishëm për këtë zonë, me mbi 40,000 banorë dhe rreth 60 fshatra. Rikonstruksioni i rrugës do të krijojë një korridor të ri i cili është me tërheqës, më i sigurt dhe lehtësisht i përshkueshëm krahasuar me rrugën aktuale që lidh Qarkun e Vlorës me jugun dhe veçanërisht me bregdetin. Nga ana tjetër, ky projekt do të garantojë zhvillim ekonomik e social në këtë zonë dhe në gjithë Qarkun e Vlorës, përmes përmirësimit të aksesit në transport dhe në tregje, rritje e gamës dhe cilësisë së shërbimeve për banorët e zonës, zhvillimin e nën/degëve të turizmit si ekoturizmi apo agroturizmi dhe rritja e vendeve të punës.
Projekti përfshin punime civile për rikonstruksionin e rrugës kryesore ekzistuese Vlorë-Peshkëpi-Qeparo, si dhe zgjerimin e saj duke e shndërruar në një rrugë dy-kalimëshe me shpejtësi të rritur lëvizjeje. Projekti gjithashtu përfshin punime rehabilituese të strukturave të drenazhimit dhe pajisjeve të sigurisë dhe ndriçimit, edhe në kalimet e këmbësorëve në qytetet kryesore që shtrihen përgjatë rrugës. Projekti parashikohet të nisë zbatimin në fillim të vitit 2016 dhe të përfundojë në fund të vitit 2019.
Sa i takon zbatimit, projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ministria e Transporteve përmes Autoritetit Rrugor Shqiptar do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen. Ndërsa në termat e financimit, huaja e Fondit të Kuvajtit prej 12 milionë Dinarë Kuvajtian (KD) ose rreth 40 milionë USD, me një periudhë maturimi 24 vjet ku përfshihet dhe periudha pa pagesë e principalit prej pesë vjetësh, së bashku me një kontribut të Qeverisë Shqiptare do të përdoret për financimin e rehabilitimit të segmentit Vlorë – Ura e Peshkëpisë – Ura e Laskos – Qeparo. Qeveria shqiptare ka një bashkëpunim financiar të frutshem me Fondin e Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab. Aktualisht Fondi ka akorduar 6 marrëveshje kredie me një vlerë totale prej rreth 21.4 milionë Dinarë Kuvajtianë ose ekuivalenti prej rreth 70.8 milionë dollarë, si dhe fonde për asistencë teknike me një vlerë prej rreth 837 mijë Dinarë Kuvajtianë ose ekuivalenti prej 2.8 milionë dollar, në fusha financimi kryesisht transporti dhe bujqësia, në drejtim të ujitjes. Pas vitit 2008, nuk ka pasur aplikime për projekte nga qeveria shqiptare drejtuar Fondit kuvajtjan kështu që kjo marrëveshje mund të konsiderohet si një rifillim i mirë i bashkëpunimit.