Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mal të Zi nga 9-11 shkurt 2025, me ftesë të Presidentit Jakov Milatović.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj u prit me nderime të larta shtetërore në Vila Gorica, ku së bashku me Presidentin Milatović mbollën një pemë miqësie, simbol i marrëdhënieve të forta midis dy vendeve.
Bisedimet mes delegacioneve u fokusuan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, integrimin euroatlantik, si dhe sfidat që përballen shqiptarët në Mal të Zi dhe minoriteti malazez në Shqipëri.
Presidenti Begaj zhvilloi takime me figura të larta të Malit të Zi, përfshirë Nënkryetarin e Parlamentit, Nikollë Camaj, Zv.kryeministrin Nik Gjeloshaj, Ministrin e Administratës Publike Marash Dukaj dhe deputetët shqiptarë, për të diskutuar zhvillimin e bashkëpunimit dhe forcimin e pozitave të shqiptarëve.
Vizita përfshiu ndalesa të rëndësishme në komunat ku jetojnë shqiptarët autoktonë, si Tuz, Plavë, Guci dhe Ulqin, ku Presidenti Begaj takoi përfaqësues lokalë për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për forcimin e komunitetit shqiptar.
Në fund të vizitës, Presidenti Begaj vizitoi librarinë “Ulqini” dhe Qendrën e Shkencës dhe Inovacionit.