Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë më 1 gusht në Vuthaj, në manifestimin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”. Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë festive dhe u shoqërua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar dhe të ftuarve nga Shqipëria dhe diaspora, duke vënë në qendër traditat, kulturën dhe trashëgiminë e kësaj treve.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe banorë të zonës, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar. Në fjalën e tij, Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve historike dhe njerëzore me shqiptarët në Malin e Zi, si dhe të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve shqiptare në të dyja anët e kufirit.
Në kuadër të manifestimit, Presidenti Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Pjesëmarrja e Presidentit në Vuthaj përcolli një mesazh të fortë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe identitetit shqiptar, ndërsa manifestimi u shndërrua në një moment bashkimi dhe promovimi të vlerave të kësaj treve.


