Agjencia e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës (TEDA) nënshkroi, më 30 shtator 2026 në Budva, Mal i Zi, një Memorandum Mirëkuptimi me partnerë evropianë, në kuadër të Partneritetit BP6–BE për Zonat Industriale. Nënshkrimi u zhvillua gjatë Konferencës Ekonomike “Montenegro 2026” dhe synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet zonave industriale dhe komuniteteve të biznesit në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Marrëveshja krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve publikë dhe sektorit privat. Partneriteti synon gjithashtu të mbështesë inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së zonave industriale në rajon.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi vlerëson këtë nismë si një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe lidhjeve ekonomike me Bashkimin Evropian, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit rajonal dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe investimet shqiptare.




