Ambasada e RSH-së në Podhoricë nisi sot shpërndarjen e një sërë tekstesh jashtëshkollore për fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe në kopshte dhe shkolla në Mal të Zi.
Nisma, nën kujdesin e veçantë të Ministrit Hoxha, është një dëshmi e përkushtimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, si dhe për mbështetjen e të vegjëlve shqiptarë në Mal të Zi, në mësimin e gjuhës amë.
Shpërndarja e parë u realizua në IPU “Nënë Tereza” në Tuz, ku librat iu dorëzuan fëmijëve dhe stafit edukativ të institucionit.
Tekstet, të përzgjedhura për grupmosha të ndryshme, do të shërbejnë si një mbështetje shtesë për fëmijët në procesin e mësimit dhe pasurimit të gjuhës shqipe, duke krijuar më shumë mundësi për lexim, argëtim dhe zhvillim përmes librave në gjuhën amtare.
Kjo nismë do të vijojë në të gjithë territorin e Malit të Zi, në institucionet ku fëmijët mësojnë gjuhën shqipe, duke shtrirë mbështetjen te kopshtet dhe shkollat shqiptare në zona të ndryshme të vendit.





