Vështrim i Përgjithshëm
Shqipëria e njohu zyrtarisht Malin e Zi më 12 korrik 2006, menjëherë pas rivendosjes së pavarësisë. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën më 1 gusht 2006. Që nga 2006 e deri më sot, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur zhvillime pozitive dhe në rritje. Qytetarët e dy vendeve lëvizin në vendet respektive duke përdorur kartën e identitetit ose pasaportën.
Marrëdhëniet dypalëshe
Mali i Zi mbetet tradicionalisht një partner i një rëndësie të veçantë për Shqipërinë. Marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve janë një shembull i mirë për pajtimin dhe bashkëjetesën rajonale dhe të dy vendet kanë ofruar dhe ofrojnë shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona në vitet e fundit, ka shënuar një progres të dukshëm dhe dialogu ynë politik është intensifikuar dhe mbetet i orientuar pakthyeshmërisht drejt perspektivës euro-atlantike. Dy vendet tona janë partnerë të besueshëm në NATO dhe po punojnë shumë për të arritur objektivin e tyre madhor kombëtar, anëtarësimin në BE, duke i ofruar njëri-tjetrit mbështetjen maksimale në këtë sfidë të madhe jo vetëm për vendet tona, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një koodinim të mirë edhe përsa i përket bashkëpunimit rajonal, që është kyç nëse Bashkimi Evropian vendos të hapet në forma të caktuara bashkëpunimi, si tregu i vetëm, inovacioni, arsimi dhe agjenda e gjelbër. Vendet tona po marrin pjesë aktive në Iniciativat Rajonale që kontribuojnë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Në këto kushte, Shqipëria bashkëpunon me Malin e Zi në nismat rajonale si: WBF, RYCO, SEECP, RCC, MARRI, CEI, AII, procesi i Berlinit etj.
Me rëndësi të vecantë në avancimin e shpejtë të marrëdhenieve dypaleshe janë zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në G2G që u mbajt në Podgoricë me 27 shkurt 2023, ku u nënshkruan 12 marrëveshje në fushën e mbrojtjes, kulturës, edukimit, infrastrukturës, bujqësisë, shendetësisë dhe mbrojtjes socioale. Fokus të vecantë do të kenë çështje si: hapja e pikave të reja kufitare, rritja e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, qe pritet të kenë një lidhje të drejtpërdrejtë me korridoret evropiane, si dhe krijimi i paketave të përbashkëta turistike.
Shqipëria konsideron që shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi dhe minoriteti malazez në Shqipëri janë ura të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe kontribuues të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Bashkëpunimi ekonomik
Të dy vendet tona kanë treguar vullnet për të rritur dhe thelluar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar. Shkëmbimet aktuale tregtare nuk përkojnë me marrëdhëniet shumë të mira politike. Për vitin 2023, Mali i Zi renditej në vendin e 24-ët të partnerëve tregtarë të Shqipërisë. Tregu malazez është i 10-ti më i madhi në vlerë për eksportet shqiptare dhe furnitori i 44-të për Shqipërinë. Në muajin janar 2024, në territorin e Shqipërisë ishin aktive 68 kompani me pronësi malazeze.
Trend në rritje është verifikuar në vitet e fundit në numrin e turistëve malazezë. Përgjatë vitit 2023, numri i tyre u rrit me 44% krahasuar me një vit më parë, duke përbërë 6% të totalit të vizitorëve. Ky trend pozitiv u ruajt edhe në 9 mujorin e parë të vitit 2024.