Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, me mbështetjen e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe nën kujdesin e Ministrit Igli Hasani, organizoi një aktivitet të veçantë me rastin e 8 Marsit, kushtuar rolit të gruas shqiptare në shoqërinë malazeze.
Në këtë event morën pjesë gra nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat kontribuojnë në institucionet dhe jetën malazeze dhe, njëkohësisht, ruajnë me krenari identitetin dhe kulturën tonë kombëtare.
Ky aktivitet vlerësoi arritjet e tyre dhe theksoi rëndësinë e fuqizimit të gruas shqiptare në të gjitha fushat e jetës. Gratë shqiptare përfaqësuese nga komuniteti shqiptar në Mal të Zi ndanë mesazhe frymëzuese, duke riafirmuar angazhimin e tyre për barazi, përparim në një shoqëri më të drejtë për të gjitha gratë!