Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, njofton se data 2 Nëntor 2025, është shpallur Ditë Zie Kombëtare në nderim të z. Fatos Nano, ish-Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, udhëheqës dhe politikan i shquar, i cili u nda nga jeta më 31 Tetor 2025.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi do të hapë librin e ngushëllimeve në datat 3 dhe 4 Nëntor 2025, në ambientet e saj, në oraret 10:00-12:00 dhe 14:00-16:00.
Gjithashtu, bëjmë me dije se ngushëllimet mund të dërgohen edhe nëpërmjet korrespondencës elektronike:
condolences@mfa.gov.al
Ish-Kryeministri Fatos Nano konsiderohej si arkitekt i transformimit demokratik dhe socialist të Shqipërisë pas viteve ’90, si dhe promotor i vizionit liberal, të hapur dhe pro-evropian të së majtës shqiptare. Ai mbrojti debatin demokratik, modernizimin ekonomik dhe pajtimin politik, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe në proceset e integrimit rajonal dhe evropian.
Z. Fatos Nano do të mbetet në kujtesë si një nga figurat themeluese të demokracisë moderne shqiptare dhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë, intelektual me shpirt reformues dhe bindje liberale, që ndikoi në formësimin e një kulture të re politike, të bazuar në dialog, pluralizëm dhe orientim evropian.
Në këtë moment zie, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.


