Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja zhvilloi një vizitë zyrtare në Podgoricë, ku pati takime me homologun e tij Ministrin e Drejtësisë së Malit të Zi, Bojan Božović, me Ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj dhe me deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Ilir Çapuni dhe Artan Çobi. Në të gjitha takimet Ministri Manja shoqërohej nga Ambasadorja Zhaklina Peto.
Gjatë takimit me homologun e tij Božović, Ministri Manja deklaroi se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve janë një shembull i mirë i bashkëjetesës rajonale dhe se vendet tona ofrojnë shumë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon Me Ministrin Božović u diskutua edhe mbi rrugën evropiane të dy vendeve tona dhe mbi nevojën për të shkëmbyer eksperiencën në nivel teknik për kapitullin e 23, për të cilin Mali i Zi pritet të mbyllë bisedimet së shpejti. Palët ranë dakord për të mbajtur kontakte të shpeshta dhe të mbeten të angazhuar për një Ballkan më evropian për qytëtarët e vendeve tona.
Një takim shumë miqësor Ministri Manja zhvilloi me Ministrin e Administratës Publike Marash Dukaj, i cili u shpreh se përvoja e Shqipërisë në fushën e zhvillimit dhe digjitalizimit dhe të e-Qeverisjes janë shumë të rëndësishme për Malin e Zi në rrugën e zhvillimit të tij digjital. Ministri Manja theksoi gatishmëria për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash dhe ofrimin e mbështetjes me eksperte në procesin e reformës së administratës publike, digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.
Në mjediset e Ambasadës shqiptare në Podgoricë u organizua takimi vëllazëror me deputetët shqiptarë në Parlamentin e Mali të Zi, Ilir Çapuni dhe Artan Çobi, me të cilët u diskutua mbi rolin e rëndësishëm të shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe mbi gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit më efikase me shtetin amë.