Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih merr pjesë në festën e 15-vjetorit të Shkollës Shqipe Dingolfing-Landau.
Konsujt e Konsullatës se Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih Miranda Kokona dhe Ardit Kurti, morën pjesë në ceremoninë festive të organizuar me rastin e 15-vjetorit të Shkollës Shqipe Dingolfing-Landau, një nga shembujt më të mirë të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar në brezat e rinj në diasporë.
Ky përvjetor u shoqërua në një atmosferë festive, ku fëmijët e shkollës dhuruan një program të pasur kulturor e artistik, me këngë, poezi dhe valle shqiptare, duke dëshmuar dashurinë për gjuhën dhe rrënjët e tyre.
Në këtë aktivitet përveç përfaqësuesve të LAPSh-it, të pranishëm gjithashtu ishin edhe nga institucionet bavareze edhe kryetarët e komunave z. Thomas Lorenz nga Landau dhe z. Hans Weichselgartner nga Pilsting, pastaj Drejtori i Entit të Arsimit z. Stefan Pielmeier, të cilët mbajtën fjalë përshëndetëse dhe shprehën vlerësimin për rolin e Shkollës Shqipe në forcimin e bashkëjetesës ndërkulturore dhe edukimin e fëmijëve, si dhe ruatjen e lidhjeve me vlerat identitare të prejardhjes së tyre.
Konsulli Ardit Kurti përshëndeti këtë përvjetor të rëndësishëm, duke vlerësuar rolin e Shkollës Shqipe në Dingolfing-Landau dhe theksoi mbeshtetjen e institucionit në nisma që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Se shpejti, me date 31 korrik, do te zhvillohet ne Shkoder, seminari i mësueseve në diasporë, që gjithashtu do të jetë një moment i rëndësishëm i punës dhe aktivitetit të mësueseve.
Mirënjohje të veçantë për z. Tefik Jaha dhe të gjithë organizatorët, mësuesit, prindërit dhe të gjithë ata që kontribuojnë me përkushtim në mbarëvajtjen e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.





