Në Nürnberg të Bavarisë u zhvillua një mbrëmje madhështore në nderim të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit organizuar me shumë përkushtim nga aktivistet dhe mësueset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Atmosfera u mbush me emocion, krenari dhe dashuri për atdheun, ndërsa diaspora shqiptare u bashkua për të festuar ditën më të shenjtë të kombit
Shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga Nürnbergu, Fürth, Neumarkt, Bamberg, Aschaffenburg dhe Roth, me mësueset: Lume Daci-Hoti, Gynete Neziri, Ardita Qorraj, Irma Koka, Antigona Kelmendi dhe Marsela Rrushi, dhuruan një program artistik të mrekullueshëm. Me këngë, valle dhe recitime të përgatitura me kujdes nga këto mësuese të përkushtuara, nxënësit sollën momente të paharrueshme që mbushën zemrat e të pranishmëve me gëzim e krenari.
Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Mynih, znj. Gentiana Mburimi, përshëndeti të ftuarit dhe vlerësoi punën e jashtëzakonshme të mësueseve të gjuhës shqipe. Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë edhe nënkryetarin e LAPSH-it, z. Xhymshit Tafa; sekretarin e LAPSH-it, z. Bashkim Halilaj; si dhe koordinatorët dhe aktivistët e palodhur, z. Armend Ismajli dhe z. Selim Hoti, të cilët me angazhimin e tyre të pandalur mbajnë gjallë shpirtin shqiptar në Bavari.
Mbrëmja u përmbyll me emocione të forta, plot frymë atdhedashurie dhe shqiptarizmi.
Urime të gjithëve festat e Nëntorit!




