Së shpejti, grupi i fëmijëve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe të Rosenheim dhe Kolbermoor, do të udhëtojë drejt Shqipërisë – për disa prej tyre kjo do të jetë hera e parë, ndërsa për të tjerët një rikthim i shumëpritur në atdhe. Të ardhur nga treva të ndryshme, këta fëmijë ndajnë të njëjtën krenari për origjinën e tyre shqiptare dhe mezi presin të njihen më nga afër me historinë, kulturën dhe jetën në vendin e të parëve.
Përpara kësaj vizite të veçantë, fëmijët zhvilluan një takim të ngrohtë dhe frymëzues në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, ku u pritën me dashamirësi. Të shoqëruar nga mësuesja e tyre e përkushtuar znj. Valbona Roqi, si dhe nga nënkryetarja dhe anëtarë të Shoqatës “Shqiponja” në Rosenheim, Znj.Berta Goçi Morina dhe Ardiana Mani, ata patën mundësinë të njihen nga afër me punën e përfaqësisë sonë diplomatike.
Në Shqipëri i pret një program i pasur me përvoja: vizita në institucione shtetërore, muze, qendra kulturore dhe shtëpi botuese, si dhe takime me bashkëmoshatarët e tyre. Kulmi i udhëtimit do të jetë festa e përbashkët me fëmijët në Shqipëri për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve – një moment gëzimi, bashkimi dhe krenarie shqiptare.
Ky aktivitet është një dëshmi e përkushtimit për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar te fëmijët shqiptarë në diasporë.



