Tiranë, 27 Qershor 2025 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka mirëpritur sot në mjediset e MEPJ përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit.
Në fokus të bashkëbisedimit me to ka qenë diskutimi për Kapitullin 31 – pjesë e Grup-Kapitullit 6 të Marrëdhënieve të Jashtme – që mbulon Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP).
Gjatë takimit, Ministri Hasani ka nënvizuar se:
“Shqipëria e ruan qartësinë dhe linjëzimin e saj gjeopolitik në suazën e Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë të BE-së, duke u rreshtuar pa hezitim në vlerat dhe parimet e Unionit.”
Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit të MEPJ për të thelluar bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e interesit duke siguruar transparencë, llogaridhënie dhe hartim gjithëpërfshirës të politikave.