Nju Jork, 25 tetor 2024 – Në takimin e organizuar nga Shqipëria dhe OSBE në OKB për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhura me konfliktin, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vuri theksin tek rëndësia e procesit të llogaridhënies për autorët e këtyre akteve. Sipas ministrit Hasani, një nga barrierat kryesore ndaj përgjegjësisë për këto krime është mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, teksa nënvizoi se thyerja e këtij cikli kërkon përpjekje të përbashkëta.
“Për të parandaluar në mënyrë efektive këtë krim mizor, ne duhet t’i japim përparësi forcimit të llogaridhënies dhe duhet të fokusohemi në fuqizimin e viktimave. Është thelbësore të vendosen tregues të paralajmërimit të hershëm për dhunën seksuale të lidhur me konfliktin në mandatet e të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe ato të posaçme politike të OKB-së. Zbatimi i këtyre masave do të rrisë kapacitetin tonë për të zbuluar dhe reaguar ndaj incidenteve të dhunës seksuale në kohën e duhur”, u shpreh kryediplomati shqiptar, duke kujtuar krimet e kësaj natyre gjatë luftës në Kosovë dhe ato më të fundit në Ukrainë. Takimi “Përgjegjësia dhe fuqizimi: Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhura me konfliktin” i bashkëorganizuar nga pala shqiptare dhe OSBE, shërbeu si një platformë diskutimi dhe adresimin e sfidave që lidhen me dhunën seksuale të shkaktuara nga konfliktet.