Shqipëria e ka plotësisht të qartë se gama e re e kërcënimeve nuk mund të përballohet vetëm me mjete ushtarake, prandaj në cilësinë e saj të dyfishtë, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat në BE, favorizon intensifikimin e bashkëpunimit të ngushtë NATO-BE për përballimin e tyre. Një shembull i qartë është edhe pjesëmarrja e Shqipërisë që prej vitit 2016 në operacionin e NATO-s në Detin Egje, në mbështetje të përpjekjeve të BE-së kundër emigracionit të paligjshëm. Për Shqipërinë, bashkëpunimi aktiv NATO-BE në lëmin e sigurisë ka një rëndësi të madhe në lidhje me sigurinë e Evropës dhe më gjerë. BE-ja është një partner strategjik dhe thelbësor për NATO-n. Të dy organizatat ndajnë shumicën e anëtarëve të tyre dhe kanë vlera, interesa strategjike dhe sfida të përbashkëta. Përballimi i tyre e çojnë natyrshëm NATO-n dhe BE-në të bashkëpunojnë më ngushtë se kurrë më parë në 74 fusha, përfshirë përballimin e kërcënimeve hibride. Veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë është bashkëpunimi midis NATO-s dhe BE-së lidhur me sigurinë në rajonin tonë, ku ky bashkëpunim materializohet në pjesë të ndryshme të tij, si në Kosovë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Newsroom
Intensifikimi i bashkëpunimit NATO-BE