Në kuadrin e përpjekjeve të Aleancës për mbrojtjen dhe sigurimin e territorit të Aleancës Atlantike, Shqipëria është dhe do vazhdojë të jetë plotësisht e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në suazën e NATO-s. Kështu, në dimensionin thelbësor aleat të Mbrojtjes dhe Shkurajimit, Shqipëria kontribuon ushtarakisht në përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë, nëpërmjet vënies në jetë të Pranisë së Përparuar të NATO-s në Lindje –EfP (Enhanced Forward Presence).
Aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë. Po ashtu, Shqipëria kontribuon në rritjen e gatishmërisë së forcave aleate, modernizimin e strukturës së komandës ushtarake. Paralelisht, Shqipëria, bazuar në pozicionin e saj gjeografik dhe si anëtare fillestare e Koalicionit Global kundër të vetëquajturit “Shtet Islamik”, mbështet aktivisht rolin e intensifikuar të NATO-s në luftën kundër terrorizmit si dhe projektimin e stabilitetit në dhe përreth zonës euroatlantike.
Në suazën e detyrimeve që rrjedhin nga vendimmarrja kolektive në NATO, Shqipëria i ka dhënë përparësi rritjes së buxhetit të mbrojtjes, duke qenë kështu ndër ato vende anëtare të NATO-s që tashmë po shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre për aftësitë e mbrojtjes. Kjo synon të mbështesë domosdoshmërinë për një shpërndarje të drejtë të barrës financiare ndërmjet aleatëve, në përputhje me misionin parësor të NATO-s për mbrojtjen kolektive të popullsisë dhe territorit të Aleancës Atlantike. Rritja e investimeve në mbrojtje i shërben gjithashtu aftësive të reja të forcave aleate, përmirësimit të mëtejshëm të gatishmërisë, si dhe rritjes së kontributeve në misionet dhe operacionet e NATO-s.