SHQIPËRIA – NJË ALEATE E PËRKUSHTUAR DHE E BESUESHME E NATO-S
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, më 1 prill 2009, është një ndër arritjet më të rëndësishme historike, për vendin dhe për mbarë kombin shqiptar. Tashmë Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë euro-atlantike sipas prerogativave të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe 75-vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Shqipëria mbetet një aleate e përkushtuar dhe e besueshme e Aleancës më jetëgjatë dhe më të fuqishme në botë, e cila sot numëron 32 vende anëtare.
Duke njohur rolin kritik të NATO-s në mbrojtjen e hapësirës euro-atlantike, Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimin e saj ndaj tre detyrave themelore të Aleancës: shkurajimi dhe mbrojtja, parandalimi dhe administrimi i krizave, si dhe siguria bashkëpunuese. Ky angazhim bazohet në një qasje 360 gradë, duke iu përmbajtur së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të parashikuara në Kartën e OKB-së. Përfundimisht, Shqipëria mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Shqipëria mbështet në mënyrë aktive unitetin e Aleancës dhe rëndësinë e qëndrueshme të lidhjes transatlantike, duke siguruar që NATO të mbetet themeli i sigurisë evropiane dhe transatlantike për brezat që do të vijnë.
Agresioni brutal i Rusisë kundër Ukrainës, një shkelje e hapur e parimeve të OKB-së dhe së drejtës ndërkombëtare, ka cenuar paqen dhe stabilitetin në hapësirën euro-atlantike, duke ekspozuar Federatën Ruse si kërcënimin më domethënës dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e Aleancës. Sfidat me të cilat përballemi nuk janë vetëm evropiane, por një rrjet kompleks dhe global i kërcënimeve të ndërlidhura. Lufta hibride, sulmet kibernetike dhe propaganda e intensifikuar që synon vlerat thelbësore të Aleancës, të gjitha kontribuojnë në këtë peizazh, të shoqëruar më tej nga rreziqet në rritje të terrorizmit dhe paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Këto çështje nxisin migrimin masiv në Evropë dhe përkeqësojnë kërcënimin e ekstremizmit të dhunshëm. Shqipëria e ka dënuar ashpër sulmin e paprovokuar dhe të paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, si një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe si një kërcënim shumë serioz për sigurinë euro-atlantike. Gjithashtu, Shqipëria është pjesë e vendosmërisë së palëkundur të NATO-s për të bërë gjithçka që duhet për të siguruar dhe mbrojtur të gjitha vendet aleate.
Në kuadër të përpjekjeve të Aleancës për të mbrojtur dhe siguruar territoret e vendeve aleate, Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë plotësisht e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj në kuadrin e NATO-s, duke vënë në dispozicion burimet e nevojshme. Kështu, në dimensionin thelbësor të Mbrojtjes dhe shkurajimi, Shqipëria kontribuon ushtarakisht në forcimin sa më të madh të mbrojtjes kolektive që prej Luftës së Ftohtë, nëpërmjet pjesëmarrjes në Forcat Tokësore të NATO-s në Bullgari dhe Letoni. Aktualisht, ushtarët shqiptarë shërbejnë në operacionet dhe misionet e NATO-s në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe Kosovë. Gjithashtu, Shqipëria kontribuon në rritjen e gatishmërisë së forcave aleate, duke modernizuar strukturën komanduese ushtarake. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbështet aktivisht rolin e intensifikuar të NATO-s në luftën kundër terrorizmit, në dhe rreth hapësirës Euro-Atlantike.
Për më tepër, në dritën e detyrimeve që burojnë nga vendimmarrja kolektive në NATO dhe që synojnë përballimin e sfidave të sigurisë, Shqipëria i ka dhënë përparësi rritjes së buxhetit të mbrojtjes, duke mbështetur nevojën dhe shpërndarjen më të drejtë të barrës financiare ndërmjet aleatëve, në funksion të misionit kryesor të NATO-s, që mbetet mbrojtja kolektive e popullsisë dhe e territorit të vendeve të Aleancës. Shqipëria mbetet e përkushtuar në zbatimin e vendimeve të Samitit të Vilniusit për përshtatjen e Aleancës me realitetin e ri të sigurisë, duke përfshirë miratimin e planeve të detajuara për fuqizimin e mbrojtjes, si dhe zotimin e ri të investimeve në këtë fushë. Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka rritur buxhetin e saj të mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së. Në vitin 2024, kjo vlerë u rrit në 2%, nga e cila më shumë se 20% do të shpenzohet për modernizimin dhe pajisjet kryesore të mbrojtjes.
Rritja e investimeve në mbrojtje shërben gjithashtu për të përmirësuar aftësitë e forcave aleate, për të përmirësuar më tej gatishmërinë dhe për të rritur kontributet në misionet dhe operacionet e NATO-s. Më 4 mars 2024, Shqipëria përuroi bazën e parë ajrore taktike të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke shënuar një transformim domethënës të Aeroportit të Kuçovës. Ky investim strategjik, krahas projekteve të tjerë si ai i portit të Porto-Romanos, forcon sigurinë në rajon dhe më gjerë. Duke forcuar lëvizshmërinë dhe mbështetjen operacionale të NATO-s, këto projekte do të jenë të dobishme për rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi, të cilat janë të një rëndësie strategjike për Aleancën.
Shqipëria e ka të qartë se gama e re e kërcënimeve nuk mund të përballohet vetëm me mjete ushtarake, prandaj në kapacitetin e saj të dyfishtë, si vend anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat në BE, favorizon intensifikimin e bashkëpunimit të ngushtë NATO-BE për përballimin e tyre. Një shembull i qartë është pjesëmarrja e Shqipërisë që nga viti 2016 në operacionin e NATO-s në Detin Egje, në mbështetje të përpjekjeve të BE-së kundër emigracionit të paligjshëm.
Për Shqipërinë, bashkëpunimi aktiv NATO-BE në fushën e sigurisë ka një rëndësi të madhe për sigurinë e Evropës dhe më gjerë. BE është një partner strategjik dhe thelbësor për NATO-n. Të dy këto organizata përbëhen në pjesën më të madhe nga të njëjtët anëtare, si dhe kanë vlera, interesa strategjike dhe sfida të përbashkëta. Përballja me këto sfida e bën të natyrshme nevojën për NATO-n dhe BE-në që të bashkëpunojnë më ngushtë në një sërë fushash, përfshirë edhe trajtimin e kërcënimeve hibride. E një rëndësie të veçantë për Shqipërinë është bashkëpunimi mes NATO-s dhe BE-së për sigurinë në rajonin tonë, ku ky bashkëpunim konkretizohet në pjesë të ndryshme të tij, si në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë.
Shqipëria mbetet një mbështetëse e zëshme e nevojës për ruajtjen e vëmendjes së Aleancës ndaj paqes e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, i cili është cilësuar si një rajon i një rëndësie strategjike në Samitet e fundit të NATO-s. Zgjerimi i Aleancës me Malin e Zi në 2017, Maqedoninë e Veriut në 2020, Finlandën në 2023 dhe Suedinë në 2024, është dëshmi e qartë e suksesit të politikës së dyerve të hapura, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe hapësirës euro-atlantike, si dhe për parandalimin e ndikimeve dashakeqe nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë të vendeve të treta.
Si anëtare e NATO-s, Shqipëria ka mbështetur në mënyrë aktive dhe shumë konstruktive intensifikimin e marrëdhënieve institucionale të Republikës së Kosovës me Aleancën Atlantike, si pjesë e mbështetjes së saj për aspiratat euro-atlantike të këtij vendi dhe si kontribut për paqen dhe stabilitetin e rajonit.